(Huazuar nga profili i UTsë në facebook)
Instituti Alternativa Liberale i dhuroi disa kopje të librit “Paqe, Dashuri, Liri” për bibliotekën e Universitetit të Tetovës
Instituti Alternativa Liberale, i përfaqësuar nga zonja Minire Ceka, sot i dhuroi disa kopje të librit “Paqe, Dashuri, Liri” për bibliotekën e Universitetit të Tetovës. Ky libër përfshin ese nga autorë të njohur amerikanë, si Steven Pinker, Robert McCdonald, Radley Balka, Emmanuel Martin, Erik Gartyke, Willfred Oden dhe shumë autorë të tjerë. Esetë e këtij libri ofrojnë prova dhe argumente për paqen. Shkrimtarët e këtij botimi mbështeten në disiplinat e psikologjisë, ekonomisë, shkencave politike, historisë, drejtësisë, sociologjisë, filozofisë morale, poezisë, letërsisë dhe estetikës.
Përgjegjësja e bibliotekës së Universitetit të Tetovës, Mr. Sc. Arbana Ajdini, e falënderoi Institutin Alternativa Liberale për këtë donacion dhe paraqiti vështrimin e saj në lidhje me librin. Sipas saj, në kuptimin social, paqja zakonisht përdoret për të nënkuptuar mungesën e konfliktit (si lufta) dhe lirinë nga frika e dhunës ndërmjet individëve ose grupeve heterogjene.
“Gjatë gjithë historisë, disa udhëheqës më të jashtëzakonshëm dhe dashamirës kanë përdorur bisedimet e paqes për të vendosur një lloj të caktuar të përmbajtjes së sjelljes, që ka rezultuar në krijimin e paqes rajonale ose rritjes ekonomike nëpërmjet formave të ndryshme të marrëveshjeve ose traktateve të paqes. Shmangia e armiqësisë së dhunshme të luftës mund të jetë rezultat i dëgjimit dhe komunikimit aktiv të mendimit, që mundëson një mirëkuptim më të mirë të ndërsjellë dhe për këtë arsye duhet kompromis. Udhëheqësit shpesh përfitojnë jashtëzakonisht nga prestigji i bisedimeve të paqes dhe traktateve që mund të rezultojnë në popullaritet të konsiderueshëm”, u shpreh përgjegjësja e bibliotekës së Universitetit të Tetovës, Mr. Sc. Arbana Ajdini.
Ajo, më tej theksoi se, të drejtat dhe liritë e njeriut patjetër duhet të respektohen. Ushqim dhe arsimim duhet patjetër t’i jepet çdo fëmije në botë. Çdo individ meriton të jetojë në paqe dhe me dinjitet. “Qendra për Liri, organizatë për të drejtat dhe liritë e njeriut, për paqe dhe kontroll mbi armët, u bashkëngjitet njerëzve paqedashës në kërkesat e përbashkëta për paqe në botë. Sot, çdo qenie njerëzore duhet të japë kontribut për tejkalimin e urrejtjes, paragjykimeve, kultit ndaj armëve, shovinizmit dhe dhunës. Paqja në kuptimin psikologjik pasqyron një gjendje të shëndetshme të qetësisë dhe harmonisë. S’do mend se përdorimi i arsyes gjeneron liri, dashuri dhe paqe në tërësi. Kriza, lufta, emergjenca klimaterike dhe kërcënimi atomik, limitet e shkencës dhe iluzioni për një dije gjithmonë mbetet në dorën e të gjithëve. Për këtë, shumë shkrimtarë, filozofë e intelektualë të mëdhenj të botës lëvizin në këtë linjë shumë të brishtë impulsesh të kundërta, absolutisht jo të pajtueshëm. Ata me të drejtë janë shumë të drejtë e të preokupuar nga gjendja e botës, e politikës, e aksionit të qeverive. Disa i përqafojnë këto lloje realiteti dhe i bëjnë objekt të narrativit të tyre, por jemi të gjithë të vetëdijshëm për rreziqet që mund të fshihen në shkrimin e impenjuar dhe sa mund ta vënë në rrezik lirinë e nevojshme të shkrimtarit”, tha mes tjerash Mr. Sc. Arbana Ajdini, përgjegjësja e bibliotekës së Universitetit të Tetovës.
Në parathënien e këtij botimi thuhet se, libri ka të bëjë me shmangien e dhunës. Bëhet fjalë për alternativën paqësore të forcës. Bëhet fjalë për bashkëpunim vullnetar. U kushtohet aktivistëve për paqe dhe liri, kudo. Duke shpresuar që të rinjtë e sotëm të plaken në paqe dhe liri dhe të lënë botën më paqësore, më të drejtë dhe me shumë më tepër liri sesa e gjetën. Për ata që ndajnë këtë qëllim, informacioni në këtë libër do të jetë tejet i dobishëm.